Këta janë ish-zyrtarët e Bashkisë Durrës të arrestuar nga SPAK
Janë zbardhur emrat e disa prej zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë së Durrësit për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër arreste nën akuzën për korrupsion dhe shpërdorim detyre, përfshirë edhe ish-kryebashkiakun Vangjush Dako.
Të arrestuar me urdhër të SPAK janë:
Vangjush Dako, ish-kreu i Bashkisë Durrës, Adhurim Qehajaj, ish-drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, Adlei Likmeta, ish-drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, Rozi Kovaçi, Lira Kërtusha, ish-juriste e Urbanistikës, Nandi Tocilla.
Emrat e tjerë nuk janë bërë ende me dije. Mësohet se SPAK ka firmosur 10 urdhërarreste në lidhje me një dosje që ka të bëjë me një leje ndërtimi për një pallat pa leje dhënë gati 11 – 12 vite më parë dhe që është dëmtuar nga tërmeti i 2019. Dako akuzohet edhe për një tender të vitit 2014 – 2015 që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.
Hetimi për shkeljet ka nisur rreth 1 vit më parë dhe Vangjush Dako është thirrur në SPAK në mars 2023 lidhur me këtë dosje.

