Këta janë të dyshuarit që mashtronin qytetarët me SMS në emër të Policisë, bankave dhe e-Kosovës

Një operacion i gjerë i Njësisë së Krimeve Kibernetike ka çuar në arrestimin e dy personave që dyshohen se qëndrojnë prapa një skeme të sofistikuar mashtrimi, përmes së cilës qindra qytetarë janë vënë në shënjestër me SMS të rreme të dërguara në emër të institucioneve shtetërore dhe financiare.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Angel Ognyanov Ralchev dhe Florian Hoti, të cilët dyshohen se janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal që vepronte përmes mesazheve mashtruese, duke u paraqitur në emër të Policisë së Kosovës, bankave që operojnë në vend, ATK-së dhe platformës e-Kosova.

Sipas hetimeve, përmes këtyre mesazheve qytetarët mashtroheshin që të jepnin të dhënat e kartelave të tyre bankare. Pasi siguronin qasjen në këto të dhëna, të dyshuarit dyshohet se kryenin transferime të parave, tërheqje të mjeteve financiare dhe blerje online pa autorizim.

Më 4 qershor 2026, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, hetuesit zhvilluan një operacion në lagjen Dragodan, ku u arrestua Angel Ognyanov Ralchev. Gjatë kontrollit të banesës së tij u sekuestruan dy telefona mobilë, katër kartela SIM, tetë kartela bankare, pajisje të ndryshme teknologjike dhe një automjet.

Pas paraqitjes para gjykatës, ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ndërkaq, më 8 qershor 2026, në Prizren u arrestua edhe Florian Hoti. Gjatë aksionit policor janë kryer edhe dy kontrolle në fshatin Krushë e Madhe, ku janë sekuestruar prova materiale që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të grupit.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit, Hotit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas burimeve të afërta me hetimin, bëhet fjalë për një grup të strukturuar mirë kriminal, ndërsa vetëm në rajonin e Prishtinës deri më tani janë identifikuar mbi 150 raste mashtrimi me dëme të konsiderueshme financiare.

Hetuesit kanë identifikuar edhe persona të tjerë që dyshohet se janë pjesë e kësaj skeme, ndërsa veprimet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.