Kishte ardhur nga Shkupi për të votuar, 81-vjeçari vdes brenda qendrës së votimit

Një i moshuar ka ndërruar jetë teksa ishte duke votuar në shkollën e fshatit Biqec të Komunës së Kaçanikut.

I ndjeri ishte 81-vjeçar, i cili sipas dëshmitarëve ka qenë në gjendje të mirë, ndërkaq ka vdekur brenda qendrës së votimit.

Ai ishte i shoqëruar nga djali i tij, ndërsa nuk dihet se çka e ka shkaktuar vdekjen e tij. Ai kishte ardhur nga Shkupi për të votuar në Kaçanik, u raportua nga RTV Dukagjini, shkruan Telegrafi.

Në lidhje me këtë në RTV Dukagjini foli edhe drejtori i shkollës “Jusuf Gërvalla”, Kemal Dullovi, i cili dha edhe detaje.

“Unë isha rastësisht te vendvotimi numër një. Në atë moment isha aty, ku personi duke e marrë fletëvotimin ka rënë për mbrapa. Menjëherë djali i tij, me disa persona tjerë e kanë dërguar në veturë, ndërkaq pas 10 ose 15 minutave jemi informuar se ai person ka ndërruar jetë. I njëjti ka kërkuar ndihmë për me gjet emrin e vet, ai ka qenë shumë mirë. Mund të ketë qenë ndonjë sulm apo diçka e tillë. Rasti ka ndodhur shpejt, djali i tij ka reagu menjëherë. Përndryshe personi me vendbanim është në Shkup dhe ka ardhur për me votu”, tha Dullovi.