Kjo është 29-vjeçarja që humbi jetën pesë ditë pasi lindi fëmijën e dytë

Kjo 29-vjeçare, dje ka mundur ta kremtonte ditëlindjen, sikur të mos e merrte vdekja para pesë ditës, në rrethana ende të paqarta. Familjarët dhe të afërmit i kanë dhënë lamtumirën dhe e kanë përcjellë për në banesën e fundit bijën e tyre Ardita Hersi Muça.

Familjarët tani kërkojnë drejtësi, sepse dyshojnë që mjekja gjinekologe, e cila e ka ndjekur shtatzënisë dhe tek e cila ka kryer lindjen, nuk e ka kryer si duhet detyrën e saj. Ata e akuzojnë mjeken për neglizhencë dhe pakujdesi.

Familjarët thonë se shkaku i vdekjes së Arditës, siç u kanë thënë mjekët në spitalin e Durrësit, ka qenë pikërisht tromboza. Gjithsesi familjarët janë në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore që do të hedhë më shumë dritë mbi vdekjen e 29-vjeçares që la pas dy fëmijë, një vajzë dhe djalin e porsalindur.

Sipas mjekëve, gratë shtatzëna dhe lehona kanë një rrezik të lartë për të bërë tromboza pasi gjaku i tyre mpikset më shumë se normalja dhe kjo është e nevojshme për të ulur mundësinë e gjakderdhjes gjatë shtatzënisë dhe lindjes.

Po kjo tendencë mund të rrisë rrezikun e formimit të mpiksjeve të mëdha të gjakut. Ky rrezik bëhet edhe më i madh në prani të faktorëve të tjerë, të trashëguar ose të fituar, dhe në rast se nuk trajtohen çojnë në tromboza fatale.