Kjo është arsyeja pse nuk do të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi këtë vit

Një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq pritet të ndodh brenda këtij muaji.

Kështu ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani.

Mirëpo, sot Vuçiq ka thënë se nuk do të ketë një takim me Kurtin tani.

Për një takim të mundshëm së shpejti mes Kurtit e Vuçiq dhe pritjet nga dialogu mes Kosovës e Serbisë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë për Blic se takimi mund të jetë i zakonshëm dhe se një takim i tyre para përfundimit të mandatit të Miroslav Lajçak, do t’i shërbente më tepër vetë atij.

“Unioni Europian (UE-ja) do të vazhdojë të bëjë të mundur lehtësimin për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që t’i menaxhojnë dallimet e theksuara mbi temat akoma të hapura. Natyrisht të shprehurit e mbështetjes tregon vëmendjen që po i japin Kosovës e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi, ashtu siç për Komisionin Evropian pa asnjë dyshim e ardhmja e të gjithë rajonit qëndron në Union Evropian dhe është në interesin strategjik ta afrojë rajonin me UE-në. Ndërkaq, takimi i paralajmëruar, i radhës, ndërmjet udhëheqësve shtetëror të Kosovës e Serbisë, do jetë i zakonshëm dhe me fokus mbi sqarimet që lidhen me vendimet e fundit për veriun e vendit. Për më tepër, një takim i mundshëm ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit para përfundimit të mandatit të Miroslav Lajçak, do t’i shërbente më tepër këtij të fundit”, thotë Pula.

Lidhur me pritjet për progres në dialog, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare vlerëson se mund të ketë fare pak lëvizje në hapa, për shkak të tensionimit nga ana serbe, derisa shton se BE ka fokus që ta rikthejë raportet e palëve ndër dialoguese.

“Në rrethana normale, do të pritej progres mbi temat dhe marrëveshjet të cilat janë përmbyll e nuk po jetësohen, por, meqë kemi tensionim të shprehur nga pala serbe së voni, fare pak mund të lëvizin në hapa. Tani fokusi i UE-së, është në mbështetjen e rikthimit të raporteve të palëve ndër-dialoguese sepse pala serbe nga paraqitjet në media ka shfaq tension dhe pakënaqësi mbi vendimet e fundit të marra nga qeveria e Republikës së Kosovës, për t’a shtrirë autoritetin shtetëror në veriun e vendit të banuar më tepër nga pakica Serbe. Kështu që, progresi do të jetë minor”, potencon Shqiprim Pula.

Ndërsa, se sa është marrëveshje finale larg, Pula thekson se kjo nuk do të ndodh pasi Serbia nuk është e gatshme ta njohë Kosovën, derisa përmend deklaratat e fundit të krerëve të Serbisë, për çka shton se nuk mund të pritet marrëveshje gjatë këtij viti.“

“Përkundër se UE-ja, ka përcaktuar disa prioritete si të përbashkëta për të gjithë rajonin, të zhvilluara për qeveritë e rajonit dhe afatgjata, si dhe të domosdoshme për ta kthyer Ballkanin Perëndimor në një hapësirë investimi tërheqëse, kjo nuk ka për të ndodhur shpejt për shkak të mos gatishmërisë politike që Serbia ta pranojë shtetësinë e Kosovës. Një marrëveshje mbi statusin juridik-politik të Kosovës me Serbinë, vazhdon të jetë larg!. Së fundmi, deklaratat e krerëve të Serbisë, aspak fqinjësore, tregon mungesën e vullnetit për njohje reciproke dhe fqinjësi korrekte. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për Kosovën e Serbinë, është thelbësore që të avancohet në rrugën e përafrimit drejt UE-së, por kjo nuk do ndodhë përgjatë këtij viti kalendarik”, deklaron Shqiprim Pula.