Kjo është ministrja e re e Ekonomisë

Artane Rizvanolli është propozuar ta udhëheqë Ministrinë e Ekonomisë në qeverinë Kurti 2.

Rizvanolli njihet për përvojën e saj në fushën e ekonomisë. Pas përfundimit të studimeve themeltare, e njëjta ka vazhduar studimet Master në Ekonomiks për analizë biznesi në Universitetin Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2012 ka doktoruar në fushën e Ekonomiksit në Universitetin Staffordshire me hulumtimin e fokusuar në lidhjen në mes kapitalit njerëzor dhe investimeve të huaja direkte në ekonomitë evropiane në tranzicion.

Pas angazhimit gjashtëvjeçar si hulumtuese në Institutin Riinvest, ajo e ka vazhduar punën e saj si hulumtuese dhe këshilltare për analiza dhe politika ekonomike në kuadër të organizatave të ndryshme kosovare dhe ndërkombëtare në fushat si punësimi, zhvillimi i sektorit privat, efektet e diasporës në ekonomi, financat publike.

E njëjta nuk ka qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetevendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.