Kush është ministri i ri i Mbrojtjes i Kosovës

I mandatuari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti ka prezantuar sot emrat që do të jenë pjesë e kabintetit të tij dhe mes tyre është edhe emri i Armend Mehajt, i cili do të udhëheqë Ministrinë e Mbrojtjes.

Por kush është Armend Mehaj?

Mehaj ka lindur në vitin 1981 në Kosovë ndërsa ka jetuar dhe vepruar në Oslo të Norvegjisë. Ai i është bashkuar Forcave të Armatosura të Norvegjisë në vitin 1999, për të shërbyer më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore, shkruan express

Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kapiten Mehaj ishte dekoruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, me medaljen “Për shërbime të veçanta, me motivacionin “Për shërbime të merituara në detyrat me përgjegjësi të lartë, si dhe në kontributin e veçantë të dhënë në përmbushje me sukses të misionit paqeruajtës të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Çad”.

Me këtë rast, Mehaj kishte deklaruar se dashurinë për vendlindjen e tij Kosovën, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar e ka të shenjtë.

Kujtojmë se deri më sot kjo ministri u drejtua nga Anton Quni, që sot u betua si deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së.