Kjo është trashëgimia që pjesëmarrësi i tri luftërave pati dëshirë t`ua lë nipave e mbesave

Mejdi Asllani, pjesëmarrës i tri luftërave për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, ndihet i përmbushur në qëllimet e tij dhe tani që ka arritur në një moshë të shtyrë, shprehet i lumtur që rrethohet nga shumë nipër e mbesa.

‘‘Mbesave dhe nipave nuk kam mundur t`u lë ndonjë pasuri materiale si trashëgimi, por jam munduar me mish e me shpirt që t`u lë krenarinë kombëtare si trashëgimi’’, ka thënë Asllani.

Postimi i tij i plotë:

Së pari po tregoj se unë kam dy tabore nipash dhe mbesash: ata biologjikë dhe jo biologjikë dhe që nuk kam asnjë arsye të bëjë dallimin mes tyre në aspektin e ndjenjës së dashurisë gjyshërore.

Nipat biologjikë: Unë kam, gjashtë vajza dhe katër djem dhe secili-secila kanë nga dy e më tepër fëmijë. Vëllai im ka gjashtë fëmijë, të gjithë të martuar dhe kanë nga dy e më tepër fëmijë.

Gjithashtu kam katër nipa dhe katër mbesa nga motra ime. Të gjithë ata kanë nga dy e më tepër fëmijë.

Aq jam i mbushur me nipa e mbesa sa që po të më kërkonte ndokush që në shpejtësi t`u them emrat të gjithëve, do më vinte në siklet të madh.

Këta, pa i marrë parasysh edhe hallat e kushërirat dhe fëmijët e tyre që gjithashtu i kam nipa e mbesa.

Por, unë kam edhe nipa dhe mbesa jo biologjikë.

Gjatë jetës kam pasur shokë që i kam konsideruar si vëllezër e shkuar vëllezërve. Disa nga ata kanë vdekur dhe disa janë ende në jetë, e që nuk i kam dalluar nga djemtë apo vajzat e mia.

Edhe fëmijët e tyre i konsideroj nipa dhe mbesa edhe ata më thërrasin gjysh. Fati i mirë ka dashur, që edhe ata kanë mjaftueshëm djem e vajza, po të mblidhen të gjithë, do ta mbushnim një qytezë të vogël.

Gjithnjë duke pasur frikë se do ta lëndoj dikë që më ka dashur fort e që unë nuk i a kam përmendur emrin, në këtë regjistër të shokëve të zemrës.

Po i përmend disa emra që nuk m`u kanë ndarë në çastet më të vështira të jetës e këta janë: Shukri Ibrahimi – Gjilan, Bajram Krasniqi (Bajram Hallaqi) – Dardanë, Sokol Braha – Vushtrri, Avdyl Krasniqi – Drenoc, Argim Roci – Strugë, Halit Naxhaku – Strugë, Fluturim Rizvani – Amerikë, Gafur Avdili – Kërçovë, Halil Canolli – Marevcë – Prishtinë, Nebih Hamiti – Prishtinë, Shaban Baliu – Prishtinë dhe gjithë ata luftëtarë që më kanë qëndruar në krah, në betejën e Vitisë së Marecit.

Gjithë këta i kam konsideruar si vëllezër, djem, nipa dhe mbesa. Edhe ata më kanë konsideruar dhe më konsiderojnë njëjtë besoj.

Mbesave dhe nipave nuk kam mundur t`u lë ndonjë pasuri materiale në trashëgimi, por jam munduar me mish e me shpirt që t`ua lë krenarinë kombëtare në trashëgimi, me qëllim që ata të bëhen qytetarë ballëhapur e të denjë në kauzën nacionale.