Koha e mirë dhe oferta e lirë joshin kosovarët ta kalojnë fundjavën në jugun e Shqipërisë

Ngritja e temperaturave ka bërë që kosovarët të mësyjnë bregdetin shqiptar për fundjavë, falë edhe ofertave të mira që kanë ofruar kompanitë e udhëtimit, shkruan gazeta online Mediafokus.info.

Një udhëtim tre ditor, me dy buajtje, përfshirë darkën, mëngjesin, autobusin, vizitat në disa qytete, vende e pika historike, si Butrinti, Berati e të tjera, për një çmim prej 50 euro, është oferta më e mirë e mundshme e ofruar nga kompania Sharr Travel.

“Në këto kushte pandemie, me gjithë këto kufizime dhe aspak ndihmë nga qeveria, jeni ju ata që po na mbani gjallë si biznese”, ka thënë Ruzhdi Kurtishaj, pronar i kompanisë Sharr Travel.

Kurtishaj ka thënë se edhe në këto kushte, kompania po mundohet t’u qëndrojë besnik klientëve të saj të shumtë e të rregullt, me oferta e shërbime korrekte.

“Ne po përfitojmë këto ditë edhe nga mungesa e mysafirëve të huaj, sepse përndryshe hyrja në hotele të kësaj kategorie, me këso oferte, është e pamundur”, ka thënë Kurtishaj. /Mediafokus.info/