Komunat e heqin fajin nga vetja për rritjen e tatimit në pronë

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se rritja e çmimit të faturës për tatimin në pronë s’ka ardhur nga komunat.

Sipas AKK’së, komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore, por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut.

“…vlen të sqarohet se Komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut. Pra, çmimi i faturës së Tatimit në Pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave (pa u rritur fare norma tatimore nga Komunat) është rritur automatikisht vlera e faturës së Tatimit në Pronë”, thuhet në reagim.

Nga Asociacioni kanë treguar edhe se si përcaktohet shuma e kësaj pagese.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar sa më shpejt të procedohet në Kuvend, Ligji i ri i Tatimit në Pronë, ku është kërkuar që norma tatimore aktuale të ulet nën 0.15%.

“Ajo çka është varur nga Komunat nuk ka ndryshime, sepse ato mbeten të përkushtuara që të mos bëjnë ngritje në këtë kohë të vlerave të taksave për qytetarët, sidomos në këtë kohë të krizës ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të shumicës së artikujve”, thuhet në reagimin e AKK’së.

Lidhur me këtë çështje ka dalë me një reagim Ministria e Financave, në të cilin thuhet se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.