Komunat kundërshtojnë masat e Qeverisë

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vendosur në mënyrë të njëanshme për masat e reja anti-Covid-19, pa u konsultuar me të gjitha komunat.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi tha se kryetarët e disa komunave, në një takim me ministrin Vitia, i kanë kundërshtuar këto masa, për shkaqe ekonomike por edhe për shkak të mungesës së stafit inspektues.

“Në atë takim ishte një konkluzë e përbashkët do të thotë edhe e nivelit qendror edhe atij lokal që duhet një monitorim më strikt i zbatimit të masave, dhe u dakorduam që të kemi konsultime të mëtutjeshme sa i përket këtij procesi”.

Komunat kanë pasur një rënie drastike të të hyrave dhe investimet kapitale nuk janë realizuar.

Ibrahimi e cilëson marrjen e vendimit të këtyre masave si rrezik për komunat dhe për ekonominë në përgjithësi.

“Duhet pasur parasysh që gjatë vitit 2020, për shkak të pandemisë komunat kanë pasur një rënie drastike të të hyrave vetanake dhe për këtë arsye edhe investimet kapitale nuk kanë mund të realizohen”, ka thënë Ibrahimi.