Komunat udhëzohen nga qeveria që t’i mbyllin disa shkolla

Instituti GAP ka realizuar një hulumtim të titulluar “Numri i mësimdhënësve nëpër komuna: tepricë apo nevojë”, të cilin në EURO n’T7 e ka prezantuar Bekim Salihu, raporton express.

Në bazë të këtij hulumtimi, ka dalë se 3,101 mësimdhënës llogariten si tepricë për këtë vit, ndërsa ky numër do të rritet edhe për disa qindra vitin e ardhshëm.

Qeveria i ka hequr nga lista e pagave duke u bazuar në një udhëzim administrativ të vitit 2013, ndërsa u mbetet komunave të vendosin vetë se a dëshirojnë t’i mbajnë apo t’i largojnë.

Sipas Bekim Salihut, komunat tashmë janë para një dileme të madhe, pak para fillimit të vitit të ri shkollor.

“Në njëfarë forme, Qeveria po i urdhëron komunat që t’i mbyllin disa shkolla, derisa sa ishte në opozitë thoshte se kjo i takon Qeverisë. Në të kundërtën, komunat obligohen që vetë t’i financojnë mësimdhënësit tepricë. Komunat në këtë rast kanë dy mundësi. Opsioni i parë është që t’i largojnë mësimdhënësit dhe t’ua ndërpresin kontratat, dhe opsioni i dytë është që t’i vazhdojnë këto kontrata, por që t’i financojnë nga burimet tjera alternative, në këtë rast nga granti i përgjithshëm apo të hyrat vetanake. Këto janë mundësitë, ose edhe të largohen nga puna”, ka thënë Salihu.

Në anën tjetër, Salihu ka thënë se ky proces është i pashmangshëm dhe sa më herët që komunat fillojnë të merren me ta, aq më mirë do të jetë për to.