Konfirmohet, ekipi kujdestar i natës kritike të Gjilanit rezultojnë negativë me Covid-19

Infektologia gjilanase, Selvete Shurdhani dhe stafi shëndetësor prej dhjetë vetash, kanë rezultuar negativë me Covid-19, pas testeve të bëra sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, shkruan Mediafokus.info.

Lajmin e ka konfirmuar për Mediafokus.info specialistja e sëmundjeve infektive në kuadër të Spitalit Regjional të Gjilanit, Dr. Selvete Shurdhani.

Përveç tyre, negativë kanë rezultuar edhe dy mantelbardhët nga Vitia, të cilët në natën kritike të 12 marsit, me dyshime të bazuara e kishin nisur drejt Qendres Emergjente të Gjilanit pacientin nga Stublla, i cili rezultoi pozitiv me Covid-19.

“Përkundër të gjitha masave mbrojtëse gjatë punës me rastin e kontrollimit të pacientit të parë të dërguar në Klinikën Infektive, e që rezultoi pozitiv me Covid-19, një pjesë e stafit u izoluam për 14 ditë. Pas rezultave të testimit të dytë të kryer sot, unë dhe krejt ekipi i Gjilanit dhe dy nga Vitia, kemi rezultuar negativë. Sapo e mora konfirmimin zyrtar nga IKSHP”, ka thënë ajo për Mediafokus.info.

Shurdhani tha se ditëve në vijim do të rikthehen për ta dhën kontributin me përkushtimin më të lartë në shërbimin e të gjithe pacienteve.

Portali Mediafokus.info raportoi sot se Dr. Shurdhani dhe ekipi kujdestar i natës kritike të Spitalit Regjional, në mesditën e të premtës i janë nënshtruar testit për Covid-19 dhe po e presin rezultatin.

Nga sonte, që të gjithë dalin nga karantina./Mediafokus.info/