Kosova dhe Shqipëria – shtete me rrezik nga pandemia për SHBA-të

Në njoftimin e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shtuar këtë javë të paktën 116 vende në listën e atyre ku këshillon të mos udhëtohet, duke futur Britaninë, Kanadanë, Francën, Izraelin, Meksikën, Gjermaninë e vende të tjera, duke përmendur si arsye “nivelin shumë të lartë të infeksioneve me COVID-19”.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit i bën rekomandimet mbi udhëtimet në katërt nivele. Në nivelin e katërt futen ato vende që, sipas autoriteteve amerikane paraqesin rrezikun më të lartë për të udhëtuar.

Theksohet se mes vendeve ku Departamenti Amerikan i Shtetit nuk rekomandon udhëtimin përfshihen edhe Shqipëria e Kosova.

Po ashtu, Departamenti i Shtetit tha se do të rriste numrin e vende ndaj të cilëve do të sugjeronte rekomandime të forta për të mos udhëtuar me rreth 80% në gjithë botën.

Sipas kësaj, SHBA renditi 34 nga rreth 200 vende në nivelin e katërt me rekomandimin “Mos Udhëtoni”. Tashmë në këtë nivel përfshihen 150 vende. Zyrtarët e departamentit nuk pranuan të japin detaje nese lista do të ketë azhurnime të reja.

Rekomandimet nuk janë të detyrueshme dhe nuk i ndalojnë amerikanët të udhëtojnë.

Mes disa vendeve që përfshihen në nivelin e katërt me rekomandimin “Mos Udhëtoni” janë Finlanda, Egjipti, Belgjika, Turqia, Italia, Suedia, Zvicra dhe Spanja. Disa vende si Kina dhe Japonia qëndrojnë në Nivelin e tretë, duke u sugjeruar amerikanëve të “rishikojnë mundësinë për të udhëtuar”.

Shumica e amerikanëve i kishin shmangur udhëtimet në pjesën më të madhe të Evropës për shkak të kufizimeve lidhur me COVID-19. Uashingtoni i ka ndaluar të hyjnë në territorin amerikan pothuajse të gjithë shtetasit joamerikanë, të cilët kohët e fundit kanë qenë në pjesën më të madhe të Evropës, në Kinë, Brazil, Iran dhe Afrikën e Jugut.

Të martën, Shtetet e Bashkuara zgjatën me 30 ditë të tjera kufizimet në fuqi që prej 13 muajsh që ndalojnë udhëtimet jothelbësore drejt Kanadesë dhe Meksikës./VOA