“Kosova, zemra e Shqipërisë”, thirrjet kundër Mini-Shengenit

Nisma “Për shqiptarët dielli lind në Perëndim” po protestojnë përpara hotelit ku do të mbahet sesioni plenar i liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Në samit janë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti i Malit të Zi Milo Djukanovic.

“Kosova, zemra e Shqipërisë”, “Rama ik”, “Turp, turp”, “Edvin tradhtar”, janë disa nga thirrjet e protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë.

“Ne kundërshtojmë minishengenin ballkanik që është projekti i një jugosllavie të re. Kjo është axhenda personale e kryeministrit  që po na çon turravrap drejt rilindjes” tha Aulon Kalaja iniciator i kësaj proteste.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama, Presidenti i Serbisë, kryeministri i Maqedonisë dhe Presidenti i Malit të Zi kanë mbërritur në hotel pas vizitës në Durrës në disa vende të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Për disa minuta pritet të nisë takimi i parë që sipas axhendës është takimi i liderëve, që pason me takimin e delegacioneve. Në 13.15 është parashikuar edhe konferenca për shtyp e tyre.

Kosova refuzoi ftesën për të marrë pjesë në këtë samit për shkak të qëndrimit dhe deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ka mohuar masakrën e Reçakut duke thënë se disa nga viktimat aty ishin pjesëtar të UÇK-së. Presidenti serb e ka quajtur masakrën e Reçakut, të njohura nga gjithë bota ‘krim të fabrikuar’.

Edhe një ditë më parë Vetëvendosje, qendra në Shqipëri protestoi kundër ardhjes së Vuçiç./b.l/noa.al/