Kosovarët, populli më i lumtur në Ballkan

Sipas studimit të fundit, tregohet se kosovarët janë më të lumturit në Ballkanin Perëndimor dhe të 32-tit në botë, sipas Raportit të Lumturisë në botë për vitin 2022, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se nga vendet e rajonit, pas Kosovës renditet Serbia e 43-ta, Bosnjë e Hercegovina e 67-ta, Mali i Zi i 75-ti, Maqedonia e Veriut e 89-ta dhe Shqipëria e 90-ta.

Ndërkohë vitin 2021, Kosova ishte në vendin e 33-të.

Për të përcaktuar vendet më të lumtura në botë, ekspertët analizuan të dhënat gjithëpërfshirëse nga 149 vende, duke ndjekur në mënyrë specifike performancën në gjashtë kategori.

Kategoritë janë prodhimi i brendshëm bruto për politika sociale, jetëgjatësia, liria për të bërë vetë zgjedhjet në jetë, bujaria e popullsisë si dhe niveli i korrupsionit.

Zvicranët u renditën të katërt më të lumtur në botë.

Vendin e parë për vitin e katërt radhazi e zuri Finlanda, ndërsa të fundit Afganistani.