Kosovarja akuzohet se e ka mbytur të bijën me ujë valë
Për shkak të vdekjes së dhunshme të vajzës së saj katërvjeçare, një 25-vjeçare është dashur të përgjigjet në Gjykatën e Landit Verden që nga e marta, transmeton albinfo.ch.
Zyra e prokurorit publik e akuzon gruan se kishte derdhur ujë të vluar mbi vajzën në Grasberg afër Bremenit, në gusht të vitit 2022.
Këtë veprim ajo e kishte bërë si ndëshkim për defekimin në pelena!
Sipas aktakuzës, kosovarja e lindur në Gjermani ka kërkuar nga e bija që të ulet dhe t’i shtrijë këmbët.
35 për qind e sipërfaqes së trupit të saj kishte pësuar djegie të rënda, nga uji që ishte të paktën 55 gradë i nxehtë.
Fëmija kishte pësuar djegie me rrezik për jetën, tha prokurorja Annette Marquardt, shkruan dpa.de.
Në ditët në vijim, vajza humbte vazhdimisht vetëdijen. Edhe pse vajza vuante nga dhimbje të konsiderueshme, e ëma nuk kishte konsultuar mjekun, transmeton albinfo.ch.
Ajo për më tepër konsiderohet se ka pranuar vdekjen e fëmijës për të shmangur “kostot dhe borxhet” përmes trajtimit mjekësor.
Djegiet i kishte trajtuar vetëm me pomada për plagë dhe djegie.
Vetëm dymbëdhjetë ditë më vonë kosovarja mësohet se e ka sjellë fëmijën në një klinikë, ku dhe ka ndërruar jetë.
Akuza që e ngarkon kosovaren është vrasje nga pakujdesia, përcjell albinfo.ch.
Kryetari i trupit gjykues tha se vrasja me mosveprim mund të jetë gjithashtu një opsion.
Procesi gjyqësor do të vazhdojë gjatë muajit mars.