Krasniqi ‘zbulon’ skenarin e marrëveshjes së mundshme mes VV-së dhe LDK-së

Gazetari Vullnet Krasniqi ka deklaruar se, sipas informacioneve që posedon, brenda LDK-së po zhvillohen lëvizje që mund të çojnë drejt një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

Duke folur në emisionin e “Kosova Today”, Krasniqi tha se një pjesë e deputetëve të LDK-së, të cilët janë konsideruar kundërshtarë të një bashkëpunimi me kryeministrin Albin Kurti, mund të ndryshojnë qëndrim.

“Lajmi është që ajo gjashta e LDK-së që janë kategorikisht kundër Kurtit, mund të mos jenë edhe kundër Kurtit, për shkak se aty ka disa emra që kanë qenë kundër Lumir Abdixhikut për ta vazhduar lojën, por mund të jenë edhe ministra. Hykmete Bajrami është dëshira e Albin Kurtit, Armend Zemaj është çka mund të japë Lumir Abdixhiku. Njëri prej politikanëve brenda LDK-së, për çka kam unë informacione, ka filluar dhe është pajtuar me hy në koalicion dhe me vazhdu tutje me Lumirin, është Armend Zemaj”, u shpreh Krasniqi në Klan Kosova.

Ai shtoi se, sipas tij, po diskutohet edhe mundësia që ish-presidentja Vjosa Osmani të marrë postin e kryetares së Kuvendit, duke ushtruar njëkohësisht edhe detyrën e presidentes për një periudhë të caktuar.

“Edhe Vjosa Osmanit mund t’i urojmë mirëseardhje si kryetare e Kuvendit, dhe ushtruese e detyrës për ca kohë. Pak a shumë është një pajtueshmëri në parim, për momentin. Kjo është kushti që nëse dikush duhet të jetë kryeparlamentar, ndërsa Konjufca alternativa e presidentit, që me i lëshu pak kohë LDK-së për me marrë ministrin e Jashtme”, deklaroi ai.

Sa i përket kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Krasniqi tha se po përflitet se ai mund të marrë postin e zëvendëskryeministrit në rast të arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet dy partive.