KRM Higjiena po e përmbyllë me sukses vitin 2019

Komisioni Komunal i Aksionarëve, në koordinim me Bordin e Drejtorëve ka realizuar me sukses aktivitetet e planifikuara për sivjet, që përndryshe vlerësohet si vit pozitiv për KRM Higjiena, thotë Muhadin Haziri, anëtar i KKA.

“Komisioni Komunal i Aksionarëve (KAA) dhe Bordi i Drejtorëve (BD) ka arritur që gjatë këtij mandati të prish kontratën – marrëveshjen e partneritetit publiko-privat (PPP) me kompaninë “Ecohigjiena” që konsiderohet e dëmshme dhe dyshohet të ketë shkaktuar miliona euro humbje për komunat Gjilan, Viti e Kamenicë, thotë Muhadin Haziri, anëtar i KKA.

Gjatë këtij viti, me rekomandim e KKA është shpërbërë ky partneritet dhe ka filluar procedura për aktivizimin e ish-KRM “Higjiena”.

Muhadin Haziri deklaron se rrënjët e korrupsionit dhe nepotizmit në “Ecohigjiena” po kalbën në masë të pariparueshme.
Ish-Ecohigjiena është çështje ditësh, sipas tij, meqë ka kaluar nën autoritetin e Komunës, me rekomandimin e KKA-së, që është përgjegjës për pjesën publike.

Haziri thotë se që nga 30 maji i këtij viti, nuk ekziston më kompania “Ecohigjiena”. Në bazë të njoftimit të 12 qershorit, është shkëputur në tërësi marrëveshja për këtë partneritet publiko privat.

E ardhmja e kësaj kompanie, mbetet kompensimi i dëmeve përmes organeve të drejtësisë

Ky partneritet, i themeluar nga Kuvendi Komunal, në vitin 2012, e dëmtoi ish-ndërmarrjen publike, përmes shitjes së asetve, falsifikimit të dokumentacionit, faljes së borxheve, keqpërdorimit në faturim e borxheve të amvisnisë e të tjera”, ka thënë ai.

Përndryshe, Haziri shpreh mirënjohje dhe falënderime për pjesën publike të kompanisë, për punën që ka bërë.