Kroaci, arrestohet një kosovar i kërkuar me fletarrest nga Serbia

Policia kroate ka konfirmuar se një shtetas 48-vjeçar nga Kosova është arrestuar më 7 gusht në pikën kufitare Karasoviqi, në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-kërkim ndërkombëtar për veprën penale të krimeve të luftës.

Ndonëse, policia kroate nuk ka bërë të ditur identitetin e të arrestuarit.

Sipas raportimeve të mediave kroate, bëhet fjalë për B.B., nga Nerodimja e Poshtme e Ferizajt, i cili kërkohej nga Interpoli në Beograd, me kërkesë të Serbisë.

Ai është ndaluar teksa po hynte në Kroaci përmes pikës kufitare Karasoviqi, ndërsa më pas i është dorëzuar juridiksionit të Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik.

“Policia kroate mund të konfirmojë vetëm se më 7 gusht të këtij viti, një shtetas 48-vjeçar i Kosovës iu afrua kontrollit kufitar të hyrjes në MCGP Karasoviqi dhe u arrestua në bazë të një urdhër-kërkimi ndërkombëtar për veprën penale të krimeve të luftës. Personi iu dorëzua juridiksionit të Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut”, thuhet në përgjigjen e Policisë kroate për Klan Kosova.

Ndaj 48-vjeçarit ishte lëshuar një fletarrest ndërkombëtar nga Serbia, nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës.

Policia kroate, megjithatë, nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rastin apo akuzat konkrete ndaj tij. (foto ilustrim)