Kush është 47-vjeçari i arrestuar në Gjilan i cili u denoncua nga një 36-vjeçare nga Leskovci

Sinjali ka mësuar se 47-vjeçari i arrestuar në Gjilan, pas denoncimit të një shtetaseje të Serbisë, e cila pretendon se gjatë natës ishte sulmuar fizikisht, kanosur dhe mbajtur kundër vullnetit të saj në një apartament, është Nemanja Trajkoviç.

Gruaja është paraqitur në Policinë e Gjilanit më 20 gusht, rreth orës 11:00, ku ka deklaruar se ngjarja kishte ndodhur gjatë natës në një apartament me qira në rrugën “Avdullah Tahiri”, ku po qëndronte përkohësisht i dyshuari.

Sipas deklarimit të saj, Trajkoviç dyshohet se e ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke e detyruar të qëndronte në apartament kundër vullnetit.

Pas denoncimit, 36-vjeçares i është ofruar trajtim mjekësor. Ekzaminimi ka konstatuar lëndime të lehta trupore në pjesën e qafës, të cilat dyshohet se lidhen me incidentin e raportuar.

Një detaj tjetër ka dalë gjatë veprimeve hetimore: kur Trajkoviç është paraqitur para hetuesve, ai kishte me vete çelësin e veturës së 36-vjeçares. Sipas të dhënave të rastit, kjo dyshohet se ia kishte pamundësuar asaj largimin me veturë drejt vendbanimit të saj.

Pas kontrollit të apartamentit dhe veprimeve të tjera hetimore, 47-vjeçari është arrestuar rreth orës 18:00.

Ai është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe përkthyesit ligjor, ku ka mohuar kryerjen e veprave penale që i atribuohen.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Trajkoviçit janë iniciuar rastet për “Lëndim të lehtë trupor” dhe “Kanosje”, ndërsa atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë, Policia e ka shoqëruar 36-vjeçaren me veturën e saj deri në pikën kufitare Dheu i Bardhë, prej nga ajo ka vazhduar drejt Leskovcit./Sinjali