Kroacia kryeson nga sot presidencën e BE-së

Kroacia nga sot do të kryesojë presidencën e BE-së duke pasuar Finlandën. Vendi më i ri anëtar (2013), do të kryesojë presidencën e Këshillit të BE-së për herë të parë. Shumë qytetarë të BE-së mund të njohin prej Kroacisë vetëm bregdetin si një destinacion për pushime.

Gjashtë muaj kryesim i presidencës së BE-së për secilin vend anëtar që ofron shansin të prezantohet si organizator i mirë dhe të prezantojë apo të japë drejtimin për temat e ndërlikuara të BE-së.

Disa ndër shtetet themeluese të unionit si Luksemburgu e kanë pasur 12 herë në rotacion presidencën e BE-së, gjë që u është kthyer atyre tashmë në rutinë dhe nuk u duhen bashkëpunëtorë shtesë, për organizimin e konferencave.

Shtete të tjera të mëdha kanë një imazh më të keq në kryeqytetin e BE-së në Bruksel. P.sh. Britania e Madhe, që në janar do të dalë prej BE-së konsiderohej si kaotike, e paorganizuar mirë dhe me pak frymë krijuese.

Gjermania, që është vendi më i madh anëtar i BE-së dhe që e ka radhën në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm të drejtojë presidencën, konsiderohet si e aftë për të realizuar objektivat, por edhe mjaft burokratike dhe pedante.

Diplomatët dhe nëpunësit kroatë do të drejtojnë qindra mbledhje në Bruksel, por edhe do të përfaqësojnë BE-në në konferenca ndërkombëtare si ajo e Klimës, samite dhe gjatë vizitave në Azi apo Afrikë.

Kroacia do të prezantohet sa më mirë dhe të aplikojë për pranimin në zonën Shengen pa kontrolle të lëvizjes së personave. Sigurimi i kufijve dhe kontrolli i migracionit si rrjedhojë do të jenë padyshim pikërëndesa të presidencës kroate.

Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliæ Radman ka marrë përsipër të angazhohet për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ai do ta verë në lëvizje Francën, që të heqë dorë nga vetoja, me të cilën ka bllokuar zgjerimin e BE-së me hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo veto e papritur e Parisit në vjeshtë ishte një shok diplomatik për Gjermaninë, BE-në dhe për Kroacinë.

Pika kulmore e presidencës kroate do të jetë samiti i zgjerimit më 6 e 7 maj në Zagreb, ku do të skicohet rruga për daljen nga qorrsokaku./BallkanWeb/