Kryeministri Kurti godet Edi Ramën për shembjen e teatrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka goditur Edi Ramën, për shembjen e Teatrit Kombëtar. Kurti iu ka dalë në mbrojtje përkrahësve të teatrit.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka shkruar se i mbështet artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën Teatrin Kombëtar.

“I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”, ka shkruar Kurti.

Kurti thotë se “arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli”.

Sipas tij, shembja e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë lidhet me interesa personale të disave.

“Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave”, ka shkruar ai./mediafokus.info