Ku kishte thënë Thaçi: Koha e gardave dhe carëve ka përfunduar

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në qershor të vitit 2007, kishte thënë se “koha e gardave dhe carëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar përgjithmonë”.

Këto komente, Thaçi i kishte bërë duke u ndërlidhë me shënimin e Betejës së Kosovës nga serbët, shkruan portali mediafokus.info.

Ndërkaq në lidhje me zhvillimet rreth Kosovës dhe mundësisë që Rusia ta përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, lideri i PDK-së nuk e kishte përjashtuar mundësinë për modalitete, por ishte shprehur i bindur se pavarësia nuk mund të dëmtohet.

 “Mund të ketë modalitete, por pavarësia e Kosovës është e qartë dhe qëllimi final do të realizohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, pas pavarësisë, Kosova duhet të punojë shumë për të ndërtuar të ardhme më të mirë, e cila mund të sigurohet duke i ndërtuar shtyllat kryesore të shtetit, ndër të cilat shumë e rëndësishme është edhe shëndetësia si mision.

“Ky mision duhet shndërruar në vizion për një shëndetësi moderne në Kosovë”.

Anëtari i Grupit të Unitetit, kishte thënë se pasi të përmbyllet procesi i pavarësimit të Kosovës, prioritet duhet të jenë investimet në shëndetësi, edukim dhe ekonomi, sepse këto janë shtylla dhe standarde shumë të rëndësishme për një shtet modern, çfarë e synon Kosova./Mediafokus/