‘Kur të thom unë ki me shku edhe në burg’ – Çka i tha Bulliqi inspektorit për rrënimet në Orllan

Ish-drejtori i Inspeksionit në komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, ka thënë se nuk e ka nënshkruar transferimin e inspektorëve pas kërkesës së kryetarit Shpejtim Bulliqi në lidhje me rrënimet e objekteve në Orllan.

Mulliqi në Frontal të T7, tha se pasi kishte lajmëruar Bulliqin për rrënimin e objekteve atje, kryetari i komunës i kishte ftuar në mbledhje të nesërmën e cila ishte e acaruar.

“Unë e kam njoftu kryetarin që do të ketë rrënime të objekteve në Orllan, të nesërmën na ka thirrë në mbledhje në ora 8, një mbledhje tejet e acaruar e pakuptimtë dhe ka kërkuar që të ketë transferim të krejt inspektoratit që është jashtë normales kjo punë. Kjo është direkt pengim i kryerjes së detyrave të inspektorëve dhe unë s’kam pranu me i nënshkru ato transferime gjë që i kam bë me dije, ai më ka kërku me dhanë dorëheqje une s’kam dhanë dorëheqje”, ka thënë ai.

Ai u shpreh se Bulliqi i kishte thënë që nëse i kërkon edhe në burg me shku duhet ta zbatojë vendimin e kërkuar nga ai.

“Në aspektin ligjor nuk më duket aspak në rregull dhe i kam tregu me mirësjellje se nuk du me pasë pasoja ligjore, masnej kryetari ma ka thanë me fjalë në rregull kur të them unë ki me shku edhe në burg, atëherë më vjen keq unë nuk shkoj në burg kështu ka qenë”, u shpreh ai.