Sulmohen me ‘sakicë’ e thikë rojet e pyllit në Kaçanik, arrestohet një qytetar

Dy roje të pyllit në Kaçanik janë sulmuar mëngjesin e sotëm nga një qytetar, që dyshohet se transportonte dru pa dokumentacion. Zyrtarët e ndaluan të dyshuarin pas dyshimeve të ngritura, por i njëjti përveç që i shpërfilli urdhrat edhe i sulmoi ata.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i dyshuari M.K., fillimisht i kishte fyer rojet, pasi ata ia kërkuan dokumentet dhe në mungesë të tyre e urdhëruan që të drejtohej për një lokacion, meqë nuk kishte prezantuar asgjë.

Kërkesa dhe urdhri i tyre siç duket e mllefosi të dyshuarin, i cili për një moment i kishte sulmuar me sëpatë dhe më pas kishte nxjerrë edhe një thikë.

Përballë kësaj situate, rojet vendosën ta denoncojnë rastin dhe të kërkojnë ndihmë nga Policia. I dyshuari është shoqëruar menjëherë në stacion policor, ku është intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.