Kur u themelua Normalja e Gjilanit dhe kush e nënshkroi vendimin

Shkolla Normale “Skënderbeu” në Gjilan u themelua në vitin 1961, me vendim të Këshillit Popullor Komunal, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Vendimi për themelimin e Normales në Gjilan, mban datën 01.09.1961, ndërsa është nënshkruar nga Bejta Novobërdalija, kryetar i Këshillit Populluer i Komunës Gilan.

Normalja u hap si nevojë e kohës për sigurimin e kuadrove për shkollat fillore.

Në vitin e parë shkollor, në Normale u regjistruan 107 nxënës, që të gjithë shqiptarë.

Por, në mungesë të kuadrit në gjuhën shqipe, shumicën e lëndëve mësimore i mbanin mësimdhënësit serbë.

Meqenëse nxënësit shqiptarë nuk e zotëronin si duhet gjuhën serbe, shumica prej tyre nuk ia dilnin të kalonin klasën.

Kështu, nga 107 nxënës, sa ishin regjistruar në vitin e parë, vetëm 33 prej tyre arritën të diplomojnë, mes tyre edhe një vajzë, Mevlyde Orana.

Në vitin 1975, Normalja e Gjilanit u transformua në Akademi Pedagogjike, ndërsa sot në Gjilan funksionon Universiteti Publik “Kadri Zeka”.

Profesorët Shefik Haliti, Ilmi Rexhepi dhe Adem Ademi kanë bërë një monografi për Normalen e Gjilanit.

Gjatë 15 viteve punë, Normalja e Gjilanit u drejtua nga 6 drejtorë, i pari prej tyre ishte serb, Laza Stevanoviq, ndërsa 5 të tjerët – shqiptarë: Rabit Rexhepi, Rashit Gashi, Mustafë Veseli, Abdylaziz Veseli dhe Hysen Latifi. /Mediafokus/