Kurteshi Emini premton mbështetje të vazhdueshme për komunitetet në procesin e gjithë përfshirjes në shkollim

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi Emini ka marrë pjesë sot në sesionin e tretë, të titulluar “Qëndrimet ditore me bazë në komunitet si mundësi zhvillimi për fëmijët dhe nënat – Shpenzim ose Investim?”, ku ka thënë se nuk ka fëmijë në komunën e Gjilanit që nuk vijon mësimin.

Për më tepër, ajo ka thënë se duhet të investojmë sa më tepër në këtë proces, sepse vetëm kështu mund të ecim përpara si shoqëri drejt Evropës.

Kurteshi Emini tha se të gjitha organizatat janë duke dhënë kontribut të madh për integritetin dhe shoqërinë e këtyre komuniteteve, duke iu ofruar hapësirë për të qenë në vendet që u takojnë.

‘Nuk ka fëmijë në komunën tonë që nuk vijojnë mësime, por politikat tona shtetërore duhet të jenë më të zbatueshme dhe të veprojnë bashkë me institucionet që të qojmë përpara kauzat për një shoqëri të barabartë dhe sa më gjithëpërfshirëse.

Ne duhet të investojmë sa më shumë në këtë proces, sepse vetëm kështu mund të ecim përpara drejt rajonit dhe Evropës’ shtoi më tutje Kurteshi Emini.

‘Ne, së bashku me përfaqësuesit e Organizatës tuaj, kemi krijuar marrëveshje bashkëpunimi për t`iu ndihmuar këtyre fëmijëve, duke ofruar mundësi për shkollim të vazhdueshëm, me përkrahje në teknologji, si dhe materiale didaktike-shkollore.

Bashkëpunimi ynë do të jetë i vazhdueshëm dhe çdo herë do të ofrojmë mbështetjen tonë në këtë proces’ – ka premtuar kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini.