Kurteshi: KQZ ka bërë vepër penale, ka ndaluar të drejtën e votimit për diasporën

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alim Rama kanë kritikuar këtë institucion për tejkalimin e afateve kohore dhe për jo transparencë gjatë procesit të regjistrimit dhe verifikimit të votueseve jashtë vendit.

Sipas tyre, KQZ-ja ka bërë shkelje ligjore në këtë proces, si dhe nuk është treguar transparente gjatë verifikimit të aplikacioneve të tyre, shkruan Express.

“Ne e kemi thirr me qellim të nxjerrjes së të gjitha fakteve dhe bërjes transparente me gjendjen e krijuar lidhur me votimin jashtë vendit. Ashtu siç e dini nga numri i madh i aplikimeve në KQZ, nga jashtë, tanimë ende nuk e kemi listën përfundimtare të rregulluar që tregon se sa aplikues janë konfirmuar, sa janë refuzuar dhe se si ka kaluar procesi i verifikimit përmes telefonit. Siç e dimë ky proces nuk ka përfunduar.

Kurteshi theksoi se KQZ-ja ka bërë shkelje ligjore duke mos u respektuar afatet e përcaktuara për zgjedhjet e parakohshme në vend.

“Sot është 2 shkurti dhe është dashur që të fillohet me fletëvotimin dhe votimin jashtë vendit. KQZ askund nuk është e përgatitur, e ka shkelur këtë afat dhe kjo është një ndër shkeljet më të rënda”, ka deklaruar ai.

Ai tha se shkeljet që po bëhen në KQZ, janë duke u minuar nga përfaqësuesit e LDK-së dhe PDK-së në KQZ.

“Kjo nuk është shkelja e parë e as e fundit në këtë proces zgjedhor e që po e minojnë partitë politike PDK dhe LDK së bashku me kryetaren e KQZ-së dhe Sekretariati që nuk ka mundur që të planifikojë resurset njerëzore dhe teknike për ta përmbushur afatin”, ka thënë Kurteshi.

Sipas përfaqësuesit të VV-së, në KQZ, ky institucion ka bërë shkelje penale në rastin e votimit të aplikuesve nga jashtë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në rrafshin e kryerjes së veprave penale dhe atë të së paku dy veprave penale. Njëra shkelje penale sipas Kodit Penal është Neni 205, ‘Cenimi i të drejtës për ushtrimin e mjetit juridik’. Qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit u është cenuar kjo e drejtë sepse nuk u është dhënë e drejta për të kundërshtuar për listën e qytetarëve që kanë aplikuar për votim”, ka thënë ai.

Një shkelje tjetër penale, që sipas Kurteshit e ka bërë KQZ-ja është edhe “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar” dhe “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë Zgjedhjeve”.

“Më tutje, me veprimet e veta, me gjitha pengesat e krijuara deri tani, KQZ-ja si person juridik dhe personat fizik brenda saj kanë bërë edhe vepra tjetra penale që është ‘Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar në çfarëdo forme sipas nenit 209, dhe neni 211 ‘Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë Zgjedhjeve’”, ka deklaruar më tutje Kurteshi.