“Kurti ka afat deri më 17 shkurt që të marrë vendimin final për Asociacionin”
Gazeta opozitare serbe Nova pretendon të ketë mësuar që kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i është dhënë një afat për të marrë vendim përfundimtar në lidhj me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ky afat, për ironi, është data e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti.
Kështu ka transmetuar edhe mediumi kosovar në gjuhën serbe, Kosovo-Online.
Deri më tash, Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë ka organizuar dy takime në lidhje me Asociacionin, njërin më 31 janar dhe tjetrin më 9 shkurt.
Siç ka mësuar Nova, përfaqësuesit e ShBA-ve i kishin pasur dy pyetje për pjesëmarrësit në këto takime: Çfarë ishte Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe sipas opinionit të tyre dhe si mund të përshtatej në sistemin legal të Kosovës?
Konkluzioni kishte qenë se Asociacioni nuk mund të formohej pa ndryshuar një pjesë të ligjeve të Kosovës, përfshirë edhe Kushtetutën, por edhe se nuk mund të ishte nivel i ndarë i qeverisjes, si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas asaj që raporton Nova, shumica e përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Kosovë ishin pro formimit të Asocaicionit, me anëtarë të partisë së Ramush Haradinaj që besonin se “duhej të formohej sa më parë që të ishte e mundur”.
Sipas Novas, ka pasur një takim ku pjesëmarrës ishte vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në atë takim, raportohet se Kurtit i është dhënë një afat final për të dhënë përgjigjen e tij përfundimtare në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Është 17 shkurti, dita kur Kosova e feston 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj.

