Kurti ka frikë se “po ftohen anëtarët e VV-së”
“Të flasim tash hapur dhe sinqert këtu mes nesh”.
Me këtë fjali e ndërroi krejt kursin pozitiv të proklamimeve të “arritjeve” të qeverisë kosovare në këtë gati katërvjeçar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 55’të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti iu drejtua figurave më me peshë në LVV-në anembanë Kosovës me një fjali që “e kam ritheksuar këto dy vite” – se anëtari i zakonshëm i VV-së në vend mund të ketë nisur të ndjejë “një lloj ftohje ndaj Lëvizjes Vetëvendosje”.
Për të mos rënë në këtë “ndjesi dhe perceptim…të ftohjes”, Kurti iu drejtua atyre me kërkesën për takim të drejtpërdrejtë me ta drejtuesve dhe sekretarëve organizativë në pikat përkatëse të Lëvizjes Vetëvedosje nëpër qytetet kosovare.
“Për të folur hapur dhe sinqerisht me njëri tjetrin, këtu mes nesh, shumë nga anëtarët janë më të përafërt me kategorinë e mbështetësve se sa me anëtarin që është pjesëmarrës aktiv, sipas pëshkrimeve që ka në kuadër të statutit të organizatës tonë”, tha Albin Kurti
“Ashtu siç e kemi ritheksuar qe dy vite, kontakti i drejtpëdrejtë me anëtarin përmes pikës përkatëse në komunitetin ku ai ose ajo bën pjesë është i një rëndësie jetike. Në pamundësi për të qenë në rrjedha të strukturave organizative dikush edhe mund të ndjej një lloj ftohje ndaj organizatës Vetëvendosje, duke mos e parë veten ndoshta pjesë të projektit dhe ecjes sonë të përbashkët”, vazhdoi ai.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje iu drejtua bashkëpartiakëve të tij me thirrjen dhe shpjegimin se “është e domosdoshme” që anëtari i VV-së anegjerë Kosovës “të mos i krijohet ky perceptim dhe kjo ndjesi”.
“Pra, është qenësore që drejtuesit e qendrave ta njohin anëtarësinë e tyre. Drejtuesit dhe sekretari organizativ por edhe RVV dhe GVV është me rëndësi që të njohin gjerësisht dhe thelbësisht anëtarësinë në qytetin e tyre”, tha Albin Kurti,
“E kemi thënë që pa këta dy kategori shoqërore – rini adhe gratë – nuk arrihen transformime dhe fitore socioekonomike dhe as rezultati i dëshiruar në çfarëdo gare. Struktura jonë nuk reflekton ende mbështetjen popullore, kjo është e dukshme për gjithësecilin prej nesh. Por as përbrenda strukturës ekzistuese nuk po reflektohet mjaftueshëm përfshirja e grave dhe vajzave”, shtoi ai.
Mes tjerash, Kurti foli edhe për “përparim shoqërore” dhe “rritje ekonomike” teksa u bëri thirrje mërgatës që të kthehen në Kosovë “jo veëtm në pushime…por edhe për punë”.
“Tash kemi rritje ekonomike dhe stabilitet institucional, përparim shoqëror me qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe shtrirje të sovranitetit, lëvizje të lirë pa viza, këto janë arsye jo vetëm për të qëndruar në Kosovë por edhe për t’u kthyer në atdhe”, ka thënë Kurti,
“Ejani për pushime verore, ejani për pushime dhe jashtë stinës së verës, ejani edhe për punë, kthehuni në vendlindjen tuaj. Juve që jeni ndërmarrës, ju themi investoni këtu që të fitoni. Jo si dikur, kontribuoni duke sakrifikuar, sepse Kosova po përparon”, tha Kurti./nacionale/

