Kurti para evropianëve flet kundër marrëveshjes së arritur më 4 shtator në Amerikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në Parlamentin Evropian për marrëveshjen e 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Kurti gjatë fjalimit të tij foli me tone të ashpra ndaj kësaj marrëveshjeje, shkruan lajmi.net.

Ai tha se kjo marrëveshje, sipas tij as nuk është menduar të implementohet.

“Nuk kam parë asnjëherë në jetën time një faqe e gjysmë zotime. Sikur të ndodhte që gjatë shkrimit të tyre dikush të thotë mos keni harruar edhe atë ose atë tjetrën. Nuk besoj që është menduar të implementohet, duhet ta shohim sidoqoftë si diçka pozitive”, tha Kurti.

Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin tha se me këtë shtet do normalizim, por që procesi s’mund të jetë në dëm të interesave të Kosovës.

“Nuk neglizhojmë dialogun me Serbinë, duam normalizim. Por normalizimi s’mund të jetë në dëm të interesave tona”, tha ai.

Tutje, Kurti foli edhe për “Non Paper” që ka qarkulluar kohëve të fundit në media ku flitet për ndryshim kufijsh e autonomi të serbëve në veri.

“Jetojmë në një epokë të “Non Papers”, kemi shumë dokumente pa autorë, mirëpo kemi edhe shumë autorë pa dokumente. Duhet të prodhojmë më shumë ëndrra. Kemi ndalur ato ëndrrat apo planet dhe ka një lloj vakuumi që po mbushet me këto “non-papers”. Nuk besoj që mund të ketë zgjidhje ku liderët pretendojnë të jenë gjeneralë ushtarëk në luftën e parë botërore me ato lapsat në harta ku preken kufijtë, e ridizajnohet Ballkani”, tha Kurti, transmeton lajmi.

Ai tha se Serbia ka qasje me standarde të dyfishta në procesin e dialogut, teksa sipas tij vet ka qëllime jo të mira.

“Beogradi dëshiron të na akuzojë ne për Shqipërinë e Madhe duke u përpjekur që të krijojë Serbinë e Madhe. Dialogu s’ka alternativë, duhet të ulemi dhe të diskutojmë e të zgjidhim çështjet e hapura”, tha ai