Kush do të jetë kandidati i LDK’së për kryetar të Gjilanit?

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Gjilan akoma s’ka folur sa i përket kandidaturës për kryetar të Gjilanit, në zgjedhjet komunale të cilat mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Në kohën kur kanë mbetur më pak se një vit nga mbajtja e zgjedhjeve sipas kalendarit, deri tani ambiciet për të garuar për kreun i Komunës i ka shfaqur haptazi nënkryetari aktual i Komunës, Arbër Ismajli.

Ndërkohë, i pyetur si i komenton përfoljet e kohëve të fundit për një kandidaturë të mundshme, Arbër Ismajli ka thënë se LDK akoma s’ka folur.

Ai po thotë se LDK duhet të mblidhet sa më shpejtë në mënyrë që të dalë me një emër të përveçëm.

“LDK nuk ka fol ende… LDK i ka strukturat e saj, kryesinë, kryetarët e nëndegëve, dy forumet, këshillin e ekspertëve etj… LDK ka nevojë të mblidhet sa më shpejtë, jo vetëm në Gjilan, po edhe kudo në Kosovë, në mënyrë që të fokusohemi në një emër të përveçëm. Deri në këtë moment, nuk kemi emra të përveçëm”, ka thënë Ismajli gjatë deklarimit në emër të kryesisë së LDK’së në Gjilan, në shënimin e ditëlindjes së Ibrahim Rugovës më 2 dhjetor, transmeton Mediafokus.info.

Ndërkaq, Ismajli një selam kundërshtarëve politikë duket se u dërgoi edhe të shtunën.

Përmes profilit të tij në Facebook, ai ka thënë se ndërlidhja e klimës politike të Podujevës me Gjilanin, është e gabuar, për të shtuar se ‘tuta nuk është kulturë e jona’.

“Lidhja atipike e disa personave ndërmjet klimës politike të Podujevës me Gjilanin, është tejet e gabuar, dhe joreale. Qytetarët e Gjilanit kanë të ndërtuar besim, bindje dhe kulturë qeverisëse, e cila reflekton drejtpërsëdrejti në jetën publike e institucionale të tyre. Ata e dinë më së miri t’i dallojnë kandidatët potencial të tyre. Bindja e tyre në bastionin e vjetër është pjekuri e cila arrin të ndërtohet ndër vite. Nuk është tuta kulturë e jona!”, ka shkruar Ismajli, në profilin e tij zyrtar.

Në anën tjetër, Lutfi Haziri, kryetar aktual i Komunës dhe i Degës së kësaj partie në Gjilan, e ka mohuar disa herë se do të rikandidojë, por që në një debat televiziv para një javë ka lënë të kuptohet se edhe mund t’i futet garës sërish.

Ndryshe, ky është mandati i katërt i Lutfi Hazirit në krye të Komunës së Gjilanit.

A do t’i futet sërish garës ai, vartësi i tij, Arbër Ismajli, apo edhe ndonjë emër tjetër, mbetet të shihet në javët në vazhdim./Mediafokus.info/