“Kush e ka kap mbretin për hunde” – një historik për berberët e Gjilanit
Berberët kujdesen për flokët, fytyrën dhe pamjen e njerëzve prej shekujsh. Madje, edhe sot thuhet ‘kush ka kokë duhet të shkojë patjetër te berberi’.
Berber quhet mjeshtri që pret flokët dhe rruan fytyrën.
Kjo mjeshtëri shërbyese shumë e vjetër dhe mjaft e zhvilluar edhe në Gjilan, shpesh e trashëguar ndër breza, deri në ditët tona, siç ishte rasti me familjen e Mulla Sherifëve, familjen Ismajli, familjen Sylqevci e disa të tjera, nga të cilat dolën numër i madh i punëtorëve të kësaj zeje.
Nisur nga natyra e punës në dyqanet e berberëve dhe veçanërisht në kooperativën e zejtarëve në Gjilan, gjithnjë janë zhvilluar biseda nga më të ndryshmet, përkitazi me të gjitha zhvillimet e jetës, për problemet dhe për të gjitha ngjarjet e ndodhitë e ndryshme politike, ekonomike, sportive etj.
Berberët kanë qenë njerzit më të informuar. Tek ata secili linte një fjalë, madje edhe sekrete të ndryshme.
Ekzistojnë në popull disa thënie për berberët. Kur dikush ankohej se nuk ishte qethur mirë, shoku e tallte me një sintagmë “Sipas kokës edhe qethja” ndërsa një tjetër do të shtonte “Sipas xhepit edhe sajdisja”.
Në kohët e kaluara shumë pyetej dhe flitej se “Kush prej njerzve e ka kap mbretin për hunde, vesh dhe i vendoste briskun në fyt”.
Duhej të ishe shumë i mençur që ta gjeje përgjigjen. E përgjigja ishte një dhe e vetme: Berberi!
Kur ia rregullon mustaqet mbretit, e kap për hunde, kur ia rregullon zylyfet e kap për veshë dhe kur ia heq mjekren, ia fut briskun në fyt…
Pleqtë kanë thënë se do vjen koha, kur më shumë do ketë gra në berberhane sesa burra ne tabahane-vend ku përpunohej lëkura.
Vërtetë, tani nuk ka burra në tabahane, sepse kjo zeje nuk ekziston më, kurse gratë për çdo ditë i mbushin dyqanet e ondullimit dhe atyre për rregullimin e flokëve!.
Në Gjilan ka pasur berberë sigurisht që nga themelimi i tij. Por kush ishin berberët e Gjilanit në kohërat e hershme, ku i kishin dyqanet e tyre, sa berberë kishte në Gjilan dhe me çka merreshin përveç çethjes dhe rrojës e shumë të dhëna tjera rreth berberëve mund t`i mësoni nga libri “Zejtaria e Gjilanit”./Faik Ziyazade

