Kush i shpëtoi fshatarët e Karadakut nga “çyteku bullgar”?

Populli i anës së Karadakut i këndon këngë Isuf Pidiqit, për trimëritë e tij, por historia është treguar e heshtur në rastin e tij, shkruan portali mediafokus.info

Në vitin 1945, Isuf Pidiqi vrau tre ushtarakë serbë, të cilët po maltretonin fshatarët e Grykës së Karadakut, pa asnjë arsye.

Heroizmi i tij vazhdon të tregohet prej kaq vitesh nëpër oda e ndeja burrash. Sali Hasani, një familjar i tij, thotë se Isufi ka qenë jatak dhe bashkëmoshatar i Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit e Xheladin Kurbalisë, tre trimave të rrallë të kësaj ane.

Ishte njeri i guximshëm, me moral e karakter të fortë dhe i pathyeshëm përballë armikut.

Në kohën e okupacionit bullgar (1943), me autoritetin dhe guximin e tij, shumë herë e mbrojti popullin nga torturat më të tmerrshme që dinin t`i bënin bullgarët. Populli ende e krahason brutalitetin ndaj dikujt, me “çytekun bullgar”.

Kur disa banorë të fshatit Goden e sulmojnë një patrullë bullgare, e vrasin një ushtar dhe ia marrin pushkën, fillojnë maltretimet e rënda në tërë lagjen, me pretekst se po kërkonin pushkën e grabitur. Ndërhyri Isuf Pidiqi, i cili e la peng për 24 orë djalin e vet, Esatin dhe doli në pjesën italiane, matanë Moravës, për ta sjellë pushkën, që t`i shpëtojë bashkëfshatarët e tij nga torturat e tmerrshme (‘çyteku’ bullgar).

Më 1945, atëherë kur u formua Jugosllavia, shovinizmi serbomadh i rehabilitoi serbo-çetnikët dhe anembanë Kosovës filluan vrasjet, dëbimet dhe masakrat ndaj popullit shqiptar.

Më 6 janar 1945 Isuf Pidiqi ftohet në stacionin e policisë në Zhegër, apo Shtabin Ushtarak, gjoja për një konsultë. Atë natë Isufi nuk kishte ngrënë as darkë. Kishte disa parandjenja të këqija.

Posa lajmërohet në Zhegër, vëren se serbët po festonin ditën e Bozhiqit. Ata festonin e vallëzonin, kurse Isufin e mbyllin në një hapësirë të ngushtë, ku kishte njerëz të larë në gjak nga torturat.

Isufi arrin të grabit një pushkë dhe me të i vret dy oficerë dhe një tjetër e plagos. Pushka kishte vetëm tre plumba.

Pas kësaj Isufi tentoi të ik, meqë nuk kishte municion për të rezistuar, por rafalët që u zbrazën drejt tij, e lanë të vdekur para shkollës.

Kufoma e Isufit nuk iu dorëzua familjes për varrim, por fillimisht u hodh në periferi të fshatit Zhegër, aty ku gjuheshin mbeturinat dhe më vonë u gropos në një vend të panjohur.

Familja kurrë nuk arriti t`ia gjejë eshtrat dhe as ta dijë varrin e tij.

Hasani thotë se për gati 60 vjet, emri i Isuf Pidiqit është përmendur nëpër odat e Karadakut dhe është kënduar fshehurazi për të. Historia ka heshtur në rastin e tij. Tani, një rrrugë mban emrin e tij.

Rasti i tij është tepër i rrallë për nga mënyra se si e dorëzoi peng të birin për t`i shpëtuar bashkëfshatarët nga zullumi i ushtarëve bullgarë dhe si e përgjaku festën e ushtarakëve serbë, të cilët ishin dehur nga rakia dhe dhuna ndaj fshatarëve të varfër të Karadakut./MediaFokus/