Kush ia çoi haberin familjes për burgosjen e Mulla Idriz Gjilanit?

Sulmi euforik në Gjilan, më 23 dhjetor 1944, nga shtabi drejtues i Lëvizjes së rezistencës, ishte bërë pa pëlqimin dhe bekimin e Mulla Idriz Gjilanit.

Ai thërriste ”O burra, aman dëgjoni se përsëritja e gabimeve është përgjegjësi historike. Ta kthejmë popullin nga kjo rrugë që ka për t’i kushtuar shtrenjtë”.

Pas sulmit në Gjilan, shokët e luftës, të besueshëm, e strehojnë Mulla Idrizin në fshatin Tugjec e pastaj te familja patriotike Sadiku në Gjyrishec. Aty qëndroi pesë vjet, derisa nuk u zbulua dhe u burgos.

“Më 23 nëntor 1949, në derën tonë trokiti korrieri Zija Magjupi, i cili na tha se Mulla Idrizi është në UDB. Pas tri ditësh, më 26 nëntor, na thirrën në UDB. Shefi i UDB-së, Dragutin Popoviq doli në ballkon të ndërtesës së burgut dhe na tha se Mulla Idrizi e ka djegur veten”, tregon Isa, djali i Mulla Idrizit.

Sipas historianëve, Mulla Idriz Gjilani ishte ideolog, udhëheqës, frymëzues, guximtar e sakrifikues.

Para 70 vjetësh, ai shkruante se Kosova është tokë e shenjtë, që e kemi trashëgim prej të parëve tanë.

Në çdo diskutim apo vend ku diskutohej për çështjen kombëtare, Mulla Idriz Gjilani jepte mesazhe të paqes e tolerancës: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyrë kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”, thoshte ai.

Si njeri i penës dhe i pushkës, i fesë dhe atdheut, u qëndroi besnik idealeve të larta kombëtare.

/mediafoklus.info