Kush ishin opingapunuesit e Gjilanit në të kaluarën
Zeje shumë e vjetër dhe e ngjashme me këpucëtarët është zeja e opingarëve.
Opingat punoheshin më tepër nga arnestarët e qytetit, por edhe nga vetë fshatarët, të cilët bënin opinga nga lëkura e tharë e lopës, buallit etj., kurse lëkura e porositura bliheshin nga tabakët.
Kohën e fundit opingat bëheshin prej gome.
Edhe opingarët bënin modifikime të opingave duke i vënë rripa në faqen ballore etj.
Disa nga opingarët bënin edhe riparime-arnime të këpucëve.
Në gjysmën e parë të shekullit XX, kishte gjithsej 6-7 punëtori, në disa prej rrugëve të qytetit.
Oda Zejtare e Rrethit, nga viti 1921-1939, shënon 4 opingarë në Gjilan.
Sa kemi njohuri, si opingari më i njohur në Gjilan ishte Ramiz Basha, te i cili mori zanat Shukri Salihu, i cili punoi i pavarur deri më 1946, dhe më vonë edhe si këpucëtar.
Pastaj Hysen Osmani me leje pune nga viti 1951 dhe Haki Abdullahu me leje pune nga viti 1952, në një dyqan në rrugën kryesore.
Kohët e fundit Hakiu ka shitur opinga në një kioskë në rrugën kryesore bri Xhamisë së Madhe.
Si opingar të tjerë në Gjilan ishin edhe Vasa Aritonoviq, me dyqanin e tij në Qendrën Zejtare, Saqip Sahiti-1962, Arsenije Cvetkoviq dhe Omil Tutiq-1947, me punëtoritë e tyre në rrugën “M. Olbrajt”, dhe Manasije J. Ristiq, në rrugën kryesore të qytetit.
Nga viti 1958, me leje pune hasim edhe Izeir Boshiq.
Prodhimet që janë bërë në atë kohë ishin: opinga, çizme, sandale dhe jadranka nga lëkura, plastika dhe goma.
Pastaj edhe riparimin e sandaleve të plastikës, patikave dhe opingave, çizmeve.
Fillimisht produktet janë bërë kryesisht me punë dorë me vegla si: çekiq, gërshërë, brisqe speciale, kallëpe, trekëndësha, kurse pastaj me makina speciale për prerjen, gërryerjen, ngjitjen dhe perfeksionimin e lëkurës, plastikës dhe gomës.
Prodhimet zakonisht janë shitur në Viti të enjten, në Kamenicë të premten dhe Gjilan të shtunën.
Dërgimin e produkteve në fillim e bënin me qeze apo karrocë kuajsh me Jahja Bujiqin dhe me Qamil beg Gjinollin.
Po ashtu shitje në sasi më të madhe bëhej për çdo vit ditëve të panaireve java e fundit e muajit maj dhe me 7 korrik.
Opingarët e lartshënuar, kohët e fundit nuk merreshin me prodhimin e opingave prej lëkurës, por ishin shitës të opingave të gomës.
Shitësit me të mëdhenj të opingave dhe qizmeve, që zakonisht ishin nga Piroti ishin Ramiz Basha, Haki Abdullahu, Hysen Osmani dhe Sava.
Në ditën e pazarit ose panaxhyrit shitoret e tyre ishin shume te vizituara. Kishin gjitha numrat, ishin te zeza.
Ramiz Basha ishte trup shkurtër, me tas fes te zi, me mustake te bardha, ishte njeri me autoritet ne Gilan.
Ishte edhe shakaxhi.
Zanatin e Ramiz Bashës e vazhdojne djemet Abdylkaderi dhe Muharremi, ndërsa te Hakiu djali Ganiu./Faik Ziyazade

