Kush janë vërtet deputetët e Kosovës, ata që e shpallën pavarësinë, apo ata që s’po arrijnë as ta mbajnë atë?

Zanë Mali

(Në hijen e 2 Korrikut, 40 herë pa diell)

Dikur, më 2 korrik 1990, në vapën e pluhurit dhe të shpresës, 114 burra e gra të popullit u rreshtuan përballë tankeve, jo për ta zgjedhur një qeveri, por për ta zgjedhur Kosovën.

E shpallën republikë, pa zyrë, pa mikrofon, pa asnjë garanci, veç me një fjalë që s’kish nevojë për shumicë votash: liri.

Sot? Mblidhen 40 herë. Me klimë. Me rroga. Me tenderë. Me kartelë gishtash për të votuar, por pa gisht për të marrë përgjegjësi.

Në sallën ku dikur guximi shkruante histori, sot dëgjohet zhurma e karrigeve që lëkunden më shumë se bindjet.

Dikur mjaftonte një deklaratë për të ngritur një popull në këmbë. Sot, as 40 mbledhje s’e ngrisin një qeveri në vend.

Deputetët e dikurshëm u futën në histori pa kërkuar kamera.

Këta të sotmit futen në kamerë për të dalë në histori… por mbeten në ekran si pauzë që s’fillon kurrë.

Në vitin ‘90 na mungonin mjetet, por kishim qëllimin.

Sot kemi të gjitha mjetet, por s’kemi më burrë që ia fut marshin.

Dikur shkruhej një Kushtetutë në Kaçanik.

Sot shkruhet një status në Facebook, e quajnë deklaratë politike.

Populli i dikurshëm priste me radhë për bukë, por e duronte urinë për një ëndërr.

Sot, populli pret me radhë për pasaporta, sepse u lodh nga politikanët që nuk bëjnë zgjidhje.

E kështu, më 2 korrik, ndërsa kujtojmë burrat e gratë që guxuan pa llogari, e kemi përballë Kuvendin me 40 takime, 0 vendime, dhe një pyetje që s’ka nevojë për votim:

Kush janë vërtet deputetët e Kosovës?

Ata që e shpallën, apo ata që s’po arrijnë as ta mbajnë?