Kush propozoi që një rrugë të emërtohet me emrin e dëshmorit Francesco Bider?
Portali Mediafokus.info në vazhdimësi po nxjerr në dritë ngjarje të moçme, në kuadër të rubrikës Retro, si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive, veçmas për gjeneratat e reja.
Lajmi për dëshmorin e UÇK’së, ilalianin Francesco Bider, mori vëmendje të jashtëzakonshme të publikut, pasi në luftën çlirimtare nuk kanë rënë vetëm shqiptarët.
Sot, një rrugë e rëndësishme e Gjilanit e mban emrin Francesco Bider. Propozimin për këtë dëshmor e dha një djalë i dëshmorit.
Fjala është për Ilir Tahirin, djalin e heroit të kombit, Abdullah Tahiri.
Për Mediafokus.info, Iliri ka thënë se propozimin e dha me qëllimin që gjeneratat e reja ta kuptojnë se për lirinë e Kosovës janë flijuar edhe të tjerët.
“Arsyeja pse e kam propozuar këtë emër, pos respektit për sakrificen e tyre, e ka edhe qëllimin tjetër, me mbetë në kujtesën tonë. Pos varreve te tyre dhe emrat që mund të shkruhen nëpër vendet ku jane vrarë, të shënohen edhe diku tjetër. Qytetarët e asaj rruge sigurisht që do të interesohen për emërtimin dhe do të pyesin kush është ai emër. Ata do ta mësojnë që për lirinë e Kosovës janë flijuar edhe të tjerët, jo vetëm ne shqiptarët”, ka thënë Ilir Tahiri për Mediafokus.info.
Djali i Abdullah Tahirit e propozoi që një rruge të Gjilanit t’i vihet emri i dëshmorit Italian të UÇK’së, në kohën sa ishte anëtar i Komisionit komunal për emërtimin e rrugëve./MediaFokus.info/