Kuvendarët e Vitisë mblidhen për të ndarë 100 mijë euro buxhet për luftimin e koronavirusit

Kuvendi komunal i Vitisë, ka mbajtur sot një mbledhje urgjente, ku është dhënë një njoftim rreth situatës momentale të pandemisë si dhe është miratuar propozimi për ndarjen e mjeteve financiare për luftimin e COVID 19.

Fillimisht kryesuesi i Kuvendit Komunal Naim Pira, ka falenderuar gjitha Institucionet komunale, shëndetsore, të sigurisë, organizatat dhe shoqatat, donatorët e vullnetarët e ndryshëm, si dhe gjithë ata që po angazhohen që kjo pandemi të tejkalohet me sa më pak pasoja.

Ndërsa zv.kryetari i Komunës Hasan Aliu, njoftoi këshilltarët me punën që është bërë gjatë këtyre ditëve nga Komiteti komunal i emergjencës.

“Ne si komitet, kemi qenë të angazhuar që situatën ta kemi nën kontroll. Me marrjen e masave adekuate, që nga paraqitja e rastit të parë me këtë virus, jemi mobolizuar dhe kemi marrë vendimin e menjëhershëm që Stublla të karantinohet. Kemi arritë që të menaxhojm suksesshëm me situatën dhe për momentin kemi gjendje stabile, duke mos pasur raste të reja, përpos atyre 7 rasteve në fshatin Stubëll”, ka thënë Aliu.

Propozim vendimin për ndarjen e mjeteve prej 100.000 euro, që kanë të bëjnë me luftimin e pandemisë në komunën e Vitisë, këshilltarët komunal e miratuan njëzëri.

Seanca e sotme u mbajt në kushte të jashtëzakonshme, në objekt shkollor, për shkak të respektimit të masave mbrojtëse dhe ruajtjes së distancës.

Fillimisht, në hyrje të seancës, ekipi mjeksor i QKMF-së u ka bërë kontroll të gjithë këshilltarëve dhe pjesmarrësve, thuhet në njoftimin nga zyra për informim./mediafokus.info