Ky është avokati francez i Sali Berishës në procesin ndaj sekretarit amerikan
Ish kryeministri dhe ish-presidenti Sali Berisha ka angazhuar një avokat francez për të ngritur padi ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, një ditë pasi ai njoftoi vendimin e DASH-it për ta shpallur ‘non grata’ në SHBA.
Avokati francez, i cili do të merret me rastin, është Jean-yves le Borgne, 70-vjeç.
Nga kërkimet në internet, rezulton se Jean-yves le Borgne është ndër më të kërkuarit në Evropë dhe ka pasur klientë të rëndësishëm të politikës, duke filluar nga diktatori tunizian Ben Ali, presidenti francez Chirak e deri të avokati i pronarit të firmës gjigante botërore si Nissan, Carlos Ghosn.
Në mediat franceze Jean-Yves Le Borgne, cilësohet si avokati i personaliteteve dhe madje nuk arrin që t’i numërojë klientët e tij të fuqishëm që ka mbrojtur në gjykatë. Po ashtu njihet për tarifat e larta që kërkon për shërbimet e tij.
I diplomuar për filozofi, Jean-Yves Le Borgne ka një karrierë të gjatë në fushën juridike dhe aktualisht është kryetar i Urdhrit të Avokatit në Francë.

