Ky është ministri me 1 euro e 39 centë kursime

Ministri i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit vetëm 1 euro e 39 centë para të gatshme në emrin e tij, ndërsa bashkëshortja e tij ka 1,168 euro në bankë.

Kjo shumë e bën Çekun ministrin më të varfër të Qeverisë Kurti 2, pasi që për dallim nga ai, ministrat tjerë kanë qindra e mijëra euro para të gatshme në bankë, shkruan Reporteri.net.

Ministri i Kulturës, nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme në emrin e tij, por vetëm në të bashkëshortës, ku janë të deklaruara një banesë në vlerë të 90 mijë eurove dhe dhjetë ari tokë në vlerë prej 100 mijë eurove.

Edhe vetura po ashtu është e regjistruar në emrin e bashkëshortes së tij dhe kap vlerën e 12 mijë eurove.

Çeku thotë se është bashkëshortja e tij ajo e cila ka aksione në vlerë prej një mijë eurove në shoqëri komerciale, e po ashtu edhe detyrimet financiare për blerjen e banesës, veturës dhe shpenzimeve tjera që kapin shifrën e 80 mijë eurove, janë të bashkëshortes.