Ky ishte lojtari i mbrojtjes që e shpëtoi klubin gjilanas nga rënia me golin e tij
Shkruan: Ismajl Veliu
Ramadan Ahmeti – Dani mbetet një emër i njohur dhe i respektuar i futbollit gjilanas.
Dani ishte ndër futbollistët që lanë gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit “Crvena Zvezda” (Ylli i Kuq) dhe të sportit në përgjithësi.
Hapat e parë në futboll i bëri në moshën 12-vjeçe, në vitin 1968, duke u bërë pjesë e gjeneratave të reja të klubit.
Me përkushtim, disiplinë dhe dashuri të madhe për sportin, ai arriti të ndërtojë një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.
Karriera e tij në nivelin e seniorëve zgjati nga viti 1972 deri në vitin 1990.
Dani ishte një nga futbollistët më të respektuar të klubit, që asokohe bënte gara në Ligën e Parë të Kosovës dhe më pas në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë.
Një nga sukseset më të mëdha të asaj gjenerate ishte edicioni 1985/1986, kur klubi gjilanas arriti të ngjitej në një rang më të lartë garash.
Edhe pse luante në repartin defensiv, Dani nuk hezitonte të ndihmonte skuadrën edhe në sulm.
Ai kujton me krenari një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij, kur shënoi një gol vendimtar pas një rivënie nga këndi, gol ky që i siguroi mbijetesën në ligë ekipit.
Ai moment mbeti një nga kujtimet më të bukura të karrierës së tij sportive.
Përveç si lojtar, Dani dha kontribut të çmuar edhe në zhvillimin e futbollit lokal.
Ai ishte një ndër themeluesit e klubit “Bashkimi”, i cili garonte në Ligën Rajonale të Futbollit të Gjilanit, duke vazhduar të punojë për sportin edhe pas përfundimit të karrierës aktive.
Me dekada të tëra të kaluara në shërbim të futbollit, Dani mbetet një figurë e respektuar dhe e vlerësuar nga sportdashësit gjilanas.
Kontributi i tij në fushë dhe jashtë saj është pjesë e historisë së sportit të qytetit dhe një frymëzim për brezat e rinj.

