Lamtumirë nëna Sherë!

Abdyl Bajrami

Pas një sëmundje, në fshatin Smirë u nda nga jeta Sherife Sylejmani, bashkëshorte e Gani Sylejmanit (i ndjerë) nga lagja Halilaj e Smirës. Ajo ishte bijë e familjes Kuka të Pozheranit.

Shera ishte një grua e një nënë tipike shqiptare, me të gjitha veçoritë më fisnike. Me bashkëshortin Ganiun rritën dhe edukuan gjashtë djem, Rrahimin, Naimin, Shemsedinin, Avniun, Afrimin e Sahitin.

Gjatë jetës u përballë me vështirësi të mëdha, jo të atyre ekonomike por kryesisht të represionit shtetëror jugosllav e serb.

Vitet e tetëdhjeta të demonstratave të vitit 1981, fëmijët e saj i gjeti në nivele
të ndryshme shkollore. Rrahimi në studime, Naimi e Shemsedini, në shkollimin e mesëm e të tjerët në fillore.

Pjesëmarrjet në demonstratë e organizime ilegale, armiku i ra në gjurmë dhe vazhdimisht nuk e lente rehat familjen e tyre.

Shtëpia e saj dhe e kunetërve të saj ishte strehë për shumë veprimtarë e çlirimtarë të kohës.

Në shtëpitë e tyre strehoheshin materialet propagandistike, përgatiteshin e nga aty distribuoheshin shkrimet, traktet, parullat.

Ishin familje e madhe me shumë të rinj. Koordinimet i udhëhiqte djali i kunatit, mësuesi Izet Sylejmani.

Për të gjithë këta veprimtarë, ushqimet i përgatiste nëna Sherë, me vullnet të madh, por edhe e shqetësuar se mos të rinjtë po binin në dorën e armikut.

Djali i madh, Rrahimi si absolvent i fakultetit, në shkurt 1984 arrestohet, torturohet rëndë dhe dënohet me një vit burg. (Bashkëveprimtar i Fahri Fazliu, Hero i Kosovës, Mujë Prokupnit, i burgosur shumëvjeçar, Tahir Gjonbalajt e veprimtarëve të tjerë).

As pas burgut, sigurimi jugosllav nuk e lente të qetë.  Arrestimit të ri iu shmang dhe emigroi në SHBA.

Djali i tretë, Shemsedini, së bashku me Xhevat Qerimin, tani Dëshmor i Kombit ishin përkrah Zahir Pajazitit, në grupin e parë në ushtrimet ushtarake në Shqipëri në vitin 1991.

Liria që e fituam, nënën Sherë e gëzoi shumë, por nuk e kënaqi, sepse 5 djemtë e saj me familje i kishte të shpërndarë nëpër Evropë e Amerikë.

Po për kontributin familjar, sidomos të djemve të saj, asaj i shkrepnin sytë dhe ishte krenare. Por modestia e përcolli gjithmonë.

Lamtumirë nëna Sherë!