Laura Fazliu ia sjell Kosovës edhe një medalje olimpike
Xhudistja Laura Fazliu ka bërë historinë duke fituar medalje e bronztë në “Paris 2024”, që është medalja e dytë për Kosovën pas Distria Krasniqit.
Edhe pse s’ishte asnjëherë favorite, Fazliu mahniti të gjithë në kategorinë deri në 63 kilogramë për t’u stolisur me medaljen e bronztë në “Repechage”.
Ajo në përballjen finale e mposhti xhudisten nga Kroacia, Kristina Kristo. Kroatja ndoshta ishte paksa më e rrezikshme në kohën e rregullt, por që Fazliu regjistroi fitoren në “Golden Score”.
Më e çuditshmja ishte se fillimisht gjyqtari i dha fitoren Kristos, duke ia regjistruar Fazliut si gabimin e tretë, mirëpo pas shikimit të VAR-it rezultoi se kroatja kishte bërë gabimin e tretë.
Rrugëtimi i vështirë i Fazliut drejt këtij suksesi
Falë renditjes të përgjithshme, Fazliu njësoi si Distria Krasniqi e kaloi raundin e parë pa lojë, ndërsa në 1/16 e finales fitoi ndaj xhudistes nga Kina, Jing Tang, të cilën e detyroi të merrte tre vërejtje përndryshe të njohura si “shido”.
Me këtë fitore, Fazliu u kualifikua në çerekfinale por që aty kishte përballë kampionen olimpike, francezen Clarisse Agbegnenou. Niveli në dallim dhe eksperienca e bëri të vetën, me këtë të fundit që e rrëzoi me IPPON për vetëm disa sekonda.
Kësisoj, medaljen për të bronztën Fazliu u detyrua ta kërkonte në “Repechage”, ku aty fillimisht u përball me vendin e dytë të botës, kanadezen Beauchemin-Pinard.
Fillimisht, Fazliu ishte shumë më agresive duke e bërë kanadezen të merrte dy vërejtje, e kur ishte më së shumti në presion, Fazliu bëri një “Wazzari” për të siguruar “biletën” për në ‘finale’.
Në finale, xhudistja kosovare kishte punë me kroaten Kristina Kristo, të cilën e mposhti në “Golden Score” si pasojë e tre gabimeve të kroates.
Kosova tani regjistron dy medalje (një të argjendtë dhe një të bronztë), derisa ky numër mund të rritet nesër ngase garon edhe xhudistja Loriana Kuka.
Përndryshe, Nora Gjakova u eliminua të martën në ndeshjen e parë, derisa Akili pavarësisht paraqitjeve fantastike e mbylli vetëm si vend i pestë në Olimpiadë./nacionale