LDK: 45 mjekë ikën nga Kosova për një muaj, 200 qytetarë kërkuan shërim jashtë vendit
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se rezultatet e vetme konkrete të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi janë “vetëm ardhje – vajtjet jashtë vendit”.
“Janë bërë gjashtë muaj prej se kur Rifat Latifi është emëruar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Rezultatet e vetme konkrete deri më tani janë vetëm ardhje – vajtjet e ministrit jashtë vendit”, thuhet në një postim në faqen e LDK-së në Facebook.
Partia opozitare ka përmendur problemet e mëdha në sistemin shëndetësor, duke e kritikuar ministrin se po e kalon shumicën e kohës jashtë vendit.
“Ministri i Shëndetësisë, shumicën e kohës së tij po e kalon jashtë Kosovës, edhe pse vendi është duke u përballur me probleme të mëdha në sistemin shëndetësor. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të qeverisjes së tij, mbi 1000 punëtorë shëndetësorë kanë mbetur tash e tre muaj pa paga, 45 mjekë kanë ikur nga Kosova vetëm për një muaj. Tash e një vit Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur asnjë konkurs për specializime nga fusha e mjekësisë, ndërsa vetëm për dy muaj mbi 200 qytetarë kanë kërkuar shërim jashtë vendit”, thuhet në postimin e LDK-së.