Liburn Aliu tregon në cilin vit do të përfundojë Autostrada e Gjilanit
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka paralajmëruar se pas përfundimit të autostradës së Gjilanit, do të vazhdojnë me projektin në drejtim të Luginës së Preshevës. Derisa për projektin Prishtinë-Pejë, ai thotë se ka ndryshuar nga ai fillestar, pasi ka qenë me devijime të shumta.
Aliu në një konferencë për media tha se kyçja nga Prishtina përmes Gjilanit në Dheun e Bardhë dhe në Korridorin 10 përmes Bujanocit, është prioritet i kësaj qeverie.
“Sa i përket autostradës në Gjilan, jemi duke punuar me intensitet të shtuar këtë vit. Mendoj që gjatë këtij viti do të arrijmë bukur shumë, nuk po dua të premtoj që do ta përfundojmë këtë vit, projektin e kemi që mbase vitin tjetër të përfundojë, por përpjekjet jemi duke i bërë që sa më shpejt ta realizojmë. Me të arritur përfundimin e pjesës së autostradës deri në Gjilan, do të vazhdojmë menjëherë me fillimin e projektit dhe analizën për të filluar me procedura të shpronësimit dhe me realizim të projektit deri te Dheu i Bardhë. Kyçja nga Prishtina përmes Gjilanit në Dheun e Bardhë dhe në Korridorin 10 përmes Bujanocit, është prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës”, tha Aliu.
Ai thekson se po vazhdon procedura e prokurimit për projektin Prishtinë-Pejë dhe gjithçka është duke shkuar në rregull.

