Lideri opozitar rus dyshohet se është helmuar, niset drejt Gjermanisë për shërim

Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është evakuuar nga qyteti siberian Omsk dhe është nisur drejt Gjermanisë për trajtim mjekësor.

Një avion provat i organizatës joqeveritare gjermane, Cinema For Peace, e ka dërguar Navalnyn nga Omsk për në Berlin, ku Navalny – i cili dyshohet se është helmuar – do të marrë trajtimin shëndetësor.

“Vështirësitë për jetën e Alekseit dhe shëndetit të tij sapo kanë filluar, por tashmë është bërë hapi i parë”, ka shkruar në Twitter, zëdhënësja Kira Yarmysh.

Yarmysh ka publikuar një fotografi të Navalnyt teksa ai – i vendosur në një barelë – futet në avion së bashku me gruan e tij.

Navalny është në gjendje kome, që prej se u sëmurë pas dyshimeve për helmim më 20 gusht. Në momentin kur u sëmurë, ai ishte duke udhëtuar me avion nga qyteti siberian, Tomsk për në Moskë. Avioni me të cilin udhëtonte, më pas u detyrua që të bëjë një aterim urgjent në Omsk, që po ashtu gjendet në Siberi.

Familja e Navalnyt dhe aleatët e tij kanë luftuar që ta transferojnë atë në Gjermani për trajtim mjekësor, por doktorët rusë, që po e trajtonin, për orë të tëra refuzuan që ai të largohej nga spitali në Omsk, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë që ai të udhëtonte.

Por, më 21 gusht, zyrtari i lartë i spitalit në Omsk, Anatoly Kalinichenko u tha gazetarëve se Navalny mund të transferohet për në Gjermani, pasi gjendja e tij është stabilizuar.

Gruaja e Navalnyt, më herët i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të lejojë që burri i saj të transferohet në Gjermani për trajtim urgjent mjekësor.

“Zyrtarisht ju bëj thirrje ju (Putin) që të lejoni transportin e Navalnyt për në Gjermani”, deklaroi Yulia Navalnaya më 21 gusht, transmeton rel.