Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Idriz Seferi lidhje e natyrshme me dëshmorin Skifter Arifi

Izmi Zeka

Se çfarë lidhje shpirtërore e shqiptarëve mes tyre ekziston edhe pse ishin të ndarë me shekuj në shtete të ndryshme, këtë e tregon historia jonë e gjatë dhe e dhimbshme, por edhe krenare.

Ky mishërim i popullit tonë erdhi edhe në ditët tona jo të largëta.

Kujtesa është e freskët për djaloshin që jetonte në Gjilan, i ardhur nga Karadaku i Idriz Seferit.

U rritë në frymën e prindërve, baladave të heronjve, këngëve kreshnike, dëshmori i sotëm Skifter Arifi.

Ai, si i ri kishte zgjedhur rrugën që për të ishte pa alternativë, çlirimin e trojeve shqiptare.

Dhe jo rastësisht bie në Betejën legjendare të Sllupçanit të Kumanovës, më 10 qershor të vitit 2001.

Përveç luftës në Kosovë, ai iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Për të, Shqipëri i thuhej aty ku flitej e jetohej shqip.

Prandaj edhe amaneti i tij ishte “mos e ndalni luftën o vëllezër e motra se fitorja është e jona, ajo është afër”.

Skifteri, 24 vite më parë i dha jehonë Sllupçanit dhe u bë kushtrim për luftëtarët tjerë që luftuan për liri.

Skifteri sot prehet i qetë dhe kjo qetësi ia rritë madhështinë djaloshit, duke u sinkronizuar me luftën e Idriz Seferit, atë të Mulla Idriz Gjilanit dhe plejadës së dëshmorëve të kombit për çlirim kombëtar.