Ligji i aktual i pagave është diskriminues, i riu krijon barazi
Me ligjin e tanishëm, për punën e njëjtë në institucione të njëjta dhe të ndryshme ka dallime në paga dhe kjo mendoj që është e padrejtë në raport me zyrtarët publikë, duke qenë diskriminues.
Shkruan: Faton Biqkaj
Zyrtarët publikë në nivel të Republikes së Kosovës dhjetorin e këtij viti e pritnin ndryshe nga vitet e kaluara pas miratimit të ligjit për paga dhe hyrjes në fuqi nga 1 dhjetori 2019.
Mirëpo, pas ankesave të sindikatave dhe shqyrtimit të tyre, institucioni i Avokatit të Popullit e dërgoi në sot në Gjykatën Kushtetutese.
Gjatë hartimit të këtij ligji dhe deri në miratimin e tij, komisioni qeveritar, së bashku me Ministrinë e Administratës Publike, ka mbajtur debate të shumta publike për të dhënë komentet e tyre, qoftë nga ekspertët e fushës juridike, zyrtarët publikë të të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale të fushës, shoqërinë civile dhe grupet e interesit me të vetmin qëllim që të hartohet një ligj që do të jetë i implementuar për të gjithë zyrtarët publikë.
Shtrohet pyetja, pse gjatë punës së komisionit rreth hartimit të ligjit dhe gjatë gjithë këtyre debateve, nuk kishte kontribut dhe pjesëmarrje nga sindikatat që kanë ankimuar ligjin?!
Do të duhej që pjesë e diskutimeve rreth ligjit të ishin përfaqësues edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit që të jepnin rekomandimet e tyre dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe jo të kemi tani reagimin e tyre kur jemi në fazën implementuese të Ligjit të Pagave.
Është më mirë që të kemi një ligj të pagave të zbatueshëm, duke krijuar barazi, që nënkupton se për punën e njëjtë do të kishte pagën e njëjtë çdo zyrtar i kategorisë funksionale në çdo institucion do ta kishte pagën e njëjtë dhe jo siç e kemi këtë aktual.
Me ligjin e tanishëm, për punën e njëjtë në institucione të njëjta dhe të ndryshme ka dallime në paga dhe kjo mendoj që është e padrejtë në raport me zyrtarët publikë, duke qenë diskriminues.
Ligj i Pagave, për të cilin u punua gjatë, nuk do të ishte i përkyer, mirëpo do ta mbulonte shumicën e fushave të administratës publike.
Pas hyrjes në fuqi, do të ishte më e lehtë që të rishikohen vetëm disa fusha dhe të bëhet ndryshimi dhe amandamentimi i tij, e jo pezullimi dhe kthimi në pikën zero pasi që nuk është zgjidhje e problemit.
Njësoj është vepruar edhe me Ligjin për zyrtarët publikë, ku jemi dëshmitarë se pezullimi i tij ka vështirësuar dhe ka krijuar një paqartësi rreth funksionimit të administratës publike.
Pra, ekziston një dilemë e madhe se me cilin ligj të veprohet tani kur kemi shfuqizimin e Ligjit për Shërbimin Civil dhe pezullimin e Ligjit për zyrtarët publikë deri më 28 shkurt 2020./Enkas për MediaFokus/
(Autori është Master i Administratës Publike dhe njohës i fushës juridike)

